Struktura e Partisë

Fronti Atdhetar Shqiptar funksionon sipas një strukture të qartë, transparente dhe demokratike që fillon nga baza dhe shkon drejt nivelit kombëtar. Anëtarët janë zemra e kësaj lëvizjeje dhe kanë të drejtë jo vetëm të votojnë në nivel të brendshëm, por edhe të ndikojnë direkt në qëndrimet ligjore të partisë përmes sondazheve dhe vendimeve kolektive.

1. Anëtarët Bazë

Çdo shqiptar që beson në vlerat e FASH mund të bëhet anëtar. Ata marrin pjesë në takime, votojnë për përfaqësues, japin propozime dhe kanë të drejtë të ndikojnë në qëndrimet ligjore të partisë. Anëtarët votojnë gjithashtu në sondazhe për çdo ligj të rëndësishëm – nëse shumica janë pro, partia e mbështet ligjin.

2. Përfaqësuesit Komunalë

Zgjidhen nga anëtarët e komunës për të përfaqësuar zërin lokal në nivel rajonal. Ata mbledhin shqetësimet dhe propozimet e popullit dhe i përcjellin më lart.

3. Presidentët Rajonalë

Koordinojnë punën mes komunave të një qarku. Drejtojnë takime me përfaqësuesit lokalë dhe mbajnë kontakte të rregullta me qendrën kombëtare.

4. Drejtuesit Kombëtarë

Përgjegjës për drejtimin strategjik të FASH. Ata janë të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe vendimet e tyre mbështeten mbi vullnetin e anëtarëve. Çdo 4 vite mbahen zgjedhje të brendshme.

Antarësimi dhe Pagesat

FASH financohet nga populli dhe për popullin. Për t'u bërë anëtar, kërkohet një kontribut simbolik që ndihmon për të mbuluar shpenzimet e organizimit dhe ndihmës sociale:

  • 12 € / vit – për të rriturit që jetojnë në Shqipëri
  • 5 € / vit – për nxënës dhe studentë
  • 50 € / vit – për shqiptarët në diasporë
  • 30 % e pagës – për ata që përfaqësojnë FASH në Kuvend, qeveri apo poste zyrtare

Kontributet janë transparente dhe përdoren për materiale politike, ndihma në raste emergjente, zhvillim digjital dhe mobilizim kombëtar.

Rritja dhe Përzgjedhja e Anëtarëve

Çdo anëtar fillon në komunën e tij. Sipas përkushtimit dhe profesionit të tij, mund të propozohet për poste më të larta. Mjekët ndihmojnë në politikat shëndetësore, inxhinierët në infrastrukturë, ekonomistët në buxhetin e partisë – çdo profesion ka vend në ndërtimin e shtetit.

Kontrolli dhe Integriteti

FASH ka sistem kontrolli të brendshëm. Çdo shkelje, korrupsion apo sabotim ndëshkohet me përjashtim të përhershëm dhe gjobë. Bëhen kontrolle të papritura për të garantuar ndershmërinë.

Struktura e Partisë
"Çdo shqiptar fillon në komunën e tij – dhe ngjitet sipas meritës dhe përkushtimit. FASH është ndërtuar nga populli për popullin."